Skuadra e Llapit kishte ecuri prej tri fitoreve në Superligën e Kosovës në futboll. Por të hënën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë barazoi 1:1 me Prishtinën. Dhe më meritori që Prishtina fitoi një pikë në ndeshjen që i takoi javës së 31-të të elitës së futbollit kosovar, ishte portieri Agron Kolaj. Ai priti shumë gjuajtje të lojtarëve të Llapit dhe kështu ia siguroi një pikë të madhe skuadrës së Prishtinës në Podujevë.

Llapjanët mbyllën pjesën e parë me epërsi 1:0. Golin e vetëm në pjesën e parë e shënoi Ardit Tahiri. Ai shënoi nga penalltia në minutën e 18-të. Por Prishtina nuk u dorëzuar dhe pas disa rasteve, në minutën e 70-të shënoi golin e barazimit. Golin për 1:1 e shënoi Leotrim Kryeziu. Llapi kërkoi edhe golin e fitores. Por Agron Kolaj me pritjet e tij shpëtoi portën e Prishtinës.

Me barazim, si Prishtina ashtu edhe Llapi ngritën në tabelë me nga 40 pikë. Prishtina është e gjashta, kurse Llapi në vendin e shtatë. 40 pikë i ka edhe Dukagjini në vendin e tetë.

Prishtina e Llapi do të përballen edhe në finale të Kupës së Kosovës. Fituesi i Kupës siguron paraqitjen në garat evropiane të UEFA-s për edicionin e ardhshëm.