Portieri i Bayern Munich Manuel Neuer, është duke kaluar pushimet në Detin Adriatik (Kroaci), me trajnerin e tij të portierëve, Toni Tapalloviq.
Gjermani është xhiruar duke kënduar kroatisht me një grup të njerëzve, që me shumë gjasë janë kroatë.
Por kënga që kanë kënduar, është një këngë nacionaliste dhe e cilësuar si fashiste.
Kënga kontroverse është e Marko Perkovic Thompson, i cili edhe në koncerte ka performuar duke përdorur slogane dhe simbole fashiste të Luftës së Dytë Botërore.
Në videon që u shpërnda në mediat sociale, Neuer shihet me një grup burrash në një plazh duke kënduar “Lijepa li si” (E bukur je).
Kjo këngë i referohet Herceg-Bosnjës, një zone në Bosnje dhe Hercegovinë, të pretenduar nga nacioanlistët kroatë në vitet 1990, të cilët mbështeteshin nga Qeveria në Zagreb gjatë luftërave në Ballkan.
Neuer ende nuk ka folur sa i përket videos, mirëpo agjenti i tij ka sqaruar se lojtari nuk flet kroatisht.
Marko Perkovic Thompson pëlqehet në Kroaci nga njerëz që janë më nacionalistë, por nga të tjerët shihet si një njeri që jeton në të kaluarën dhe se luan me ndjenja të rrezikshme./VAR Kosova/