Trajneri i Arsenalit Mikel Arteta, ka folur se si mund të shpëtojnë karrierën e tyre te klubi nga Londra Mesut Ozil dhe Matteo Guendouzi.

Sipas spanjollit, ata mund të shpëtojnë nëse ndjekin shembullin e Granit Xhakës.

Ozil është lënë jashtë skuadrës së Arsenalit që prej rikthimit të futbollit anglez, derisa Guendouzi nuk është paraqitur fare që prej humbjes nga Brightoni muajin e kaluar, duke lënë të kuptohet se asnjëri prej tyre nuk janë në planet e trajnerit Arteta për të ardhmen.

Megjithatë, Xhaka arriti ta mbajë veten tek Arsenali pavarësisht një incidenti me tifozët vitin e kaluar, saktësisht në tetor dhe dukej se ishte pranë largimit nga Arsenali.

“Me Granitin ishte sfida ta bindim se për të ka ende vend këtu. Kisha besim tek ai dhe ai i riktheu gjërat në vendin e duhur”, tha Arteta.

 “Nëse ju dëshironi dhe keni qëndrueshmëri, atëherë ka zgjidhje. Kjo vlen për të gjithë lojtarët”, tha Arteta kur u pyet për të ardhmen e Ozilit dhe Guendouzit.