Superylli portugez Cristiano Ronaldo ka deklaruar se dëshiron që tifozët e Irlandës ta fishkëllejnë gjatë ndeshjes kualifikuese të së enjtes në Dublin për Kupën e Botës.
Portugalia do të sigurojë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026 me një fitore, dhe Ronaldo tha se nëse turma përqendrohet tek ai, kjo mund ta heqë presionin nga bashkëlojtarët e tij. Fituesi pesë herë i “Topit të Artë” synon të marrë pjesë në Kupën e Botës së gjashtë në karrierë verën e ardhshme, ndërsa Portugalia kryeson Grupin F me pesë pikë avantazh dhe dy ndeshje të mbetura.
“Stadiumi do të më fishkëllijë, jam mësuar me këtë. Madje shpresoj ta bëjnë – ndoshta kështu do të lirohet presioni nga lojtarët e tjerë,” tha Ronaldo në konferencën për shtyp të së mërkurës. Ai shtoi se pret një ndeshje të vështirë, pasi Irlanda do të mbrohet thellë dhe do të kufizojë hapësirat për të dhe bashkëlojtarët e tij.
Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Real Madrid u pyet gjithashtu nëse mund të arrijë golin e 1000-të të karrierës në finalen e Kupës së Botës. “Keni parë shumë filma, kjo do të ishte tepër perfekte,” – tha Ronaldo me të qeshur, 40 vjeç.
“Duke u kthyer në realitet, të gjitha këto statistika më bëjnë të lumtur. Kombëtarja nuk varet nga një lojtar i vetëm, por më pëlqen që mund të bëj diferencën me gola. Gjithmonë është ndjenjë e mirë të shënosh, është pozicioni im. Dua të luaj në Kupën e Botës së ardhshme, përndryshe nuk do të isha këtu, por duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi.”
Ronaldo, që aktualisht luan për Al Nassr në Arabinë Saudite, ka shënuar 957 gola në karrierën e tij deri më tani. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar për meshkuj, me 144 gola, dhe të martën deklaroi se beson se Kupa e Botës 2026 do të jetë e fundit për të, duke shtuar se pret të pensionohet brenda disa viteve.
Megjithatë, të mërkurën ai theksoi se preferon të përqendrohet te kualifikimi i Portugalisë, sesa të flasë për të ardhmen e tij:
“Nuk ka kuptim të përsëris të njëjtat gjëra dhe të humbas fokusin,” shtoi ai.
“Ndoshta më vonë do të jap më shumë intervista dhe do të flas më qartë për të ardhmen, por tani Portugalia ka një tjetër mundësi për të qenë në një tjetër finale.”



























