Ballkani ka regjistruar fitore të madhe në udhëtim te kampionia në fuqi e Kosovës, Drita.
Drita, vetëm pak ditë pasi fitoi ndaj Shkëndijës së Tetovës dhe iu afrua fazës nokaut të Ligës së Konferencës, pësoi humbje të dielën në shtëpi 3:2.
Ndeshja i takoi xhiros së 15-të të elitës së futbollit kosovar.
Për Dritën ishte disfata e parë pas katër fitoreve të njëpasnjëshme në Ligën e Konferencës dhe në Superligë, ndërsa për Ballkanin ishte fitorja e parë pas një barazimi e dy humbjeve rresht.
Ishte edhe debutim me fitore për trajnerin kroat të Ballkanit, Mislav Karoglan, i cili e zëvendësoi Orges Shehin.
Bleart Tolaj shënoi supergol në minutën e 12-të për epërsinë 1:0 të Ballkanit.
Nuk vonoi shumë dhe Drita i barazoi shifrat në 1:1. Në minutën e 23-të, gol për vendësit realizoi Kristal Abazaj.
Sfida u bë edhe më interesante në vazhdim.
Ballkani brenda dy minutash realizoi dy herë të tjera në pjesën e parë për 3:1.
Giovanni Ribeiroi shënoi në minutën e 32-të, ndërsa dy minuta më vonë, Walid Hamidi realizoi tjetër gol për pushim më të qetë.
Drita, që dominoi në pjesën e dytë, arriti që ta shënonte edhe një tjetër gol me Abazajn në minutën e 58-të. Por goli i tij nuk mjaftoi, pasi Drita pësoi disfatë ndonëse kishte shumë raste për shënim deri në fund të ballafaqimit.
Dy minuta para fundit, te Ballkani direkt me të kuq u përjashtua Geralb Smajli. Ai hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 86-të, ndërsa dy minuta më vonë u përjashtua nga loja.
Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në pozitën e parë në tabelë me 26 pikë, aq sa ka edhe Prishtina në vendin e dytë, por me një ndeshje më pak të luajtur, atë kundër Dritës.
Drita ndërkohë, është e katërta me 23 pikë.




























