Federata e Futbollit e Portugalisë ka thënë se po e monitoron situatën në Meksikë para miqësores me meksikanët në mars.
Federata tha se po e “monitoronte nga afër situatën delikate aktuale në Meksikë”, pas vrasjes së bosit më të fuqishëm të drogës në vend nga ushtria meksikane të dielën.
Vrasja shkaktoi rritje të dhunës dhe e vuri vendin në ankth.
Ndeshja përgatitore për Kupën e Botës është planifikuar për 28 mars në stadiumin e rinovuar Azteca.
Në këtë stadium duhet të luhet edhe ndeshja hapëse e Botërorit mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut më 11 qershor.
Federata portugeze ka thënë se është nderuar me ftesën për ta rihapur stadiumin, por ka shtuar se situata e fundit kërkon vlerësim të vazhdueshëm të gjendjes.



























