Drita shënoi dy gola edhe në ndeshjen kthyese të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës ndaj Celjes. Por golat e shënuar të enjten mbrëma në Celje të Sllovenisë nuk i mjaftuan Dritës për avancim në një të tetën e finales të garës së tretë për nga niveli të UEFA-s.
Drita e mbylli rrugëtimin e gjatë në garat evropiane pas disfatës 3:2 nga Celje në udhëtim.
Me rezulat 3:2 humbi edhe në Prishtinë javën e kaluar.
Celje kaloi në epërsi pas një aksioni të ndërtuar në minutën e 18-të. Svit Seshlar shënoi nga afërsia në portën e portierit Faton Maloku.
Për 2:0 shënoi mesfushori Darko Hrka, në minutën e 23-të.
Drita u kthye në lojë ndaj Celjes. Golin për 2:1 e shënoi Blerim Krsaniqi. Kishte festë nga shikuesit në përkrahje të gjilanasve. Sulmuesi Krasniqi shënoi me kokë pas harkimit të Besnik Krasniqit, në minutën e 26-të. Tre minuta më vonë, Drita nëpërmjet mbrojtësit të krahut, Raddy Ovouka qëlloi traversën në tentim për të harkuar.
Në momentet më të mira të saj, Drita, pësoi golin e tretë.
Seshlar golin e dytë personal në ndeshje e shënoi në minutën e 43-të nga penalltia. Pjesa e parë përfundoi 3:1 në të mirë të vendësve.
Drita e nisi furishëm pjesën e dytë. Për 3:2 realizoi Albert Dabiqaj në minutën e 52-të.
Celje, që ishte skuadër më dominuese në pjesën e parë, në pjesën e dytë pati rast tjetër shënimi. Por gjuajtja e Nikita Iosifovit përfundoi në shtyllë.
Inkuadrimi i kosovarit Milot Avdyli te Celje në minutën e 62-të u prit me duartrokitje. Avdyli shënoi njërin prej tri golave të fitores 3:2 të Celjes në Prishtinë javën e kaluar.
Drita e përfundoi fazën e ligës në pozitën e 20-të me tetë pikë. Fitoret ndaj Shelbournet dhe Shkëndijës, si dhe barazimet me KuPS-in e Omonian, ia siguruan avancimin tutje skuadrës së Dritës.
Drita u bë skuadra e parë nga Kosova që u paraqit në fazën e plejofit. Pas eliminimit, gjilanasve u mbetet gara shumë e fortë për titull të kampionit të Kosovës. Nga Kupa është eliminuar.



























