Lionel Messi është vetëm një gol larg shifrës jubilare të golave të shënuar në karrierën si futbollist.

Superylli argjentinas e shënoi edhe një tjetër gol të shtunën në mbrëmje në kampionatin elitar të SHBA-së, MLS.

Ishte goli i 899-të në karrierë për 38-vjeçarin. Ai realizoi në fitoren 2:1 të Inter Miamit në udhëtim te DC United.

Rodrigo De Paul shënoi në minutën e 17-të për 1:0, kurse Messi realizoi dhjetë minuta më vonë për 2:0.

Tai Baribo e shënoi golin e vetëm për nikoqirin.

Fituesi i tetëfishtë i “Topit të Artë” tani i ka 80 gola me fanellën e Inter Miamit. Ai iu bashkua skuadrës amerikane në vitin 2023 nga Paris Saint-Germaini.

Messi i ka shënuar 672 gola për Barcelonën, 32 për PSG-në dhe 115 gola për tri herë fituesen e Kupës së Botës, Argjentinën.

Inter Miami më 11 mars luan ndaj Nashvillet dhe Messi do ta ketë shansin t’i gëzohet shifrës së 900 golave në karrierë.