Lecce ka bërë të ditur se sezoni ka mbaruar për Medon Berishën pas një lëndimi të rëndë. Mesfushori i talentuar i Shqipërisë mund të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, shkruan “Football – Italia” të hënën.

Berisha ishte jashtë fushës që nga 12 dhjetori, kur u largua nga fusha në minutën e 11-të në ndeshjen kundër Pisas.

Berisha po bëhej gati për t’u rikthyer, por pësoi një tjetër lëndim në stërvitje të shtunën.

Në deklaratën e klubit konfirmohet se Berisha ka pësuar një lëndim të rëndë në këmbën e djathtë.

Nuk ka të bëjë me lëndimin e mëhershëm, por bëhet fjalë për të njëjtën këmbë. Ai të mërkurën do të udhëtoj drejt Finlandës për një konsultë të specializuar.

Berisha luajti 14 ndeshje për Leccen këtë edicion, duke kontribuar me dy gola dhe tre asistime.

22-vjeçari ka katër neshje me Shqipërinë.