“Derbi i Anamoravës” mes Dritës dhe Gjilanit është në qendër të vëmendjes nga futbolldashësit kosovarë në pasditen e sotme.

Në kuadër të javës së 31-të të Superligës së Kosovës në futboll, në pasditen e sotme do të zhvillohen gjashtë ndeshje tejet interesante.

Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiro do të zhvillohen sot me orar të njejtë, saktësisht nga ora 17:00.

E gjithë vëmendja e futbolldashësve sot do të jetë në stadiumin e qytetit në Gjilan, ku Drita dhe Gjilani do të përballen mes vete në “Derbin e Anamoravës”.

Rivaliteti mes dy skuadrave në fjalë ka qenë gjithmonë i madh, por tani duket të jetë edhe më i madh për faktin se si Drita, ashtu edhe Gjilani po luftojnë për titullin e kampionit këtë edicion.

Skuadra e Ardian Nuhiut (Dritës) dhe ajo e Gentjan Mezanit (Gjilanit) janë përballur dy herë mes vete këtë edicion në Superligën e Kosovës.

Fillimisht, më 29 shtator të vitit të kaluar, Gjilani ishte mposhtur si “vendas” nga Drita me rezultat minimal, 0:1.

Ndërkaq, më 16 shkurt të këtij viti, Drita kishte mposhtur Gjilanin me rezultat të pastër, 2:0.

Mbetet të shihet rezultati i ndeshjes së sotme mes dy skuadrave, i cili mund të vulosë gjithçka sa i përket titullit kampion.