Ylli i Kosovës, Milot Rashica, ka folur për të ardhmen e tij dhe largimin e mundshëm nga Werder Bremen.

Në emisionin Ora Verore, Rashica që ka kaluar pushimet në jugun e Shqipërisë, ka thënë se cdo gjë do të merret vesh pas pushimeve.

“Sa herë që hapet sezoni i merkatos qarkullojnë shumë zëra. Për momentin nuk munda të bëjë diçka publike por jam bisedime me shumë skuadra nga vende të ndryshme. Nuk kam se pse të nxitoj pasi për shkak të pandemisë është shtyrë me një muaj dhe merkato. Aktualisht po shijoj pushimet madje kam fikur dhe telefonin që të mos më shqetësojnë”, ka thënë Rashica.

I pyetur se ku do të preferonte të luante mes Dortmundit dhe Bayern Munich duke qenë se të dy gjigantët gjermanë kanë shfaqur interes, Rashica ka thënë se i vlerëson shumë të dy skuadrat.

Interes për futbollistin nga Vushtrria kanë shprehur edhe Liverpooli dhe Milani.

“Ka pasur shumë zëra. Ato janë dy skuadrat më të mira në Gjermani dhe ta shohim se çfarë do ndodhë. Por siç e thashë për momentin nuk po mendoj largimin. Unë nuk kam refuzuar asnjë skuadër deri më tani, por siç e thashë edhe më herët do të vendosim më vonë se ku do të transferohem. Do të shoh unë dhe agjenti im se ku është mundësia më e mirë si një hap shumë i mirë për mua”, ka thënë Rashica.