Arbër Zeneli do të luajë titullar për herë të parë pas më shumë së një viti për Stade de Reims, në përballjen e së dielës pasdite kundër Angers në Ligue 1.
Reims e viziton Angersin në Stade Raumond-Kopa për takimin e xhiros së tretë në ligën elitare franceze, me Valon Berishën që është lënë në stol.
Përfaqësues i Kombëtares së Kosovës Zeneli, i cili mungoi tërë sezonin e kaluar për shkak se e kishte këputur ligamentin e gjurit, do të jetë titullar për herë të parë që prej marsit të vitit 2019.
Në dy ndeshjet e para të këtij sezoni, në barazimin kundër Monacos në ndeshjen hapëse dhe në humbjen kundër Lille, Zeneli luajti nga 30 minuta secilën herë.
25-vjeçari është riaftësuar plotësisht nga ai lëndim i rëndë pasi u paraqit edhe për Kosovën në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve në fillim të këtij muaji.
Ndërkohë, përfaqësuesi tjetër i Kosovës, Berisha, i cili iu bashkua Zenelit në Reims këtë verë nga Lazio, i ka bërë dy paraqitje nga stoli për klubin francez dhe ende është në pritje të debutimit si titullar.
Takimi nis në orën 15:00 dhe luhet me praninë e një numrit të kufizuar të tifozëve.
Angers: Bernardoni – Bamba, Traoré (c), Thomas, Doumbia – Santamaria – Capelle, Fulgini, Mangani, Bobichon – Bahoken.
Stade de Reims: Rajkovic (c) – Foket, Faes, Maresic, Konan – Zeneli, Cassama, Chavalerin, Cafaro – Dia, Touré. /Gazeta Express/