Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka thënë se video asistenti i referimit (VAR) është duke u përdorur vetëm për të marrë vendime kundër Barcelonës.

Sipas tij, penalltia e Sergio Ramosit i ndihmoi Real Madridit ta fitojë El Clasicon të shtunën.

Gjyqtari Juan Martinez Munuera nuk e pa që Clement Lenglet e kishte tërhequr Ramosin për fanelle, por penalltia u dha më vonë pasi rasti u rishikua në ekran.

Derisa Barcelona i kërkoi dy penallti por të dyja iu mohuan, një për ndërhyrjen e Raphael Varane ndaj Lionel Messit dhe tjetrën për një prekje të mundshme të topit me dorë.

“Unë s’e kuptoj VAR-in, mendoj se po përdoret vetëm për të marrë vendime kundër Barçës”, tha Koeman pas ndeshjes.

“Në zonë gjithmonë ka tërheqje për fanelle dhe mendoj se Ramosi bëri faull në Lenglet i pari. Kishte tërheqje të fanellës por jo aq të fortë sa për ta bërë atë të rrëzohej siç u rrëzua. Për mua nuk ishte penallti”, shtoi Koeman.

“Në pesë ndeshje që i kemi luajtur deri tani, VAR-i është përdorur vetëm kundër Barçës. Kurrë në të mirën tonë”, tha Koeman.