Pas disa muajve mungesë prej lëndimit, dje u rikthye në fushë sulmuesi shtatlartë, djaloshi nga Prishtina, Alban Shillova i cili zhvilloi rreth 25 minuta lojë duke pasur edhe një tentim që ishte rast ideal shënimi, por që megjithatë u prit nga individi më i mirë i ndeshjes, portieri gjilanas, Enea Koliçi.

“U ndjeva shumë mirë që u ktheva sërish në fushë, megjithëse kthimin e prisja edhe më herët, por lëndimi kishte bërë të veten. Gjithsesi do të ndihesha edhe më mirë dhe jo i zhgënjyer sikur do të përfundonte rezultati ndryshe nga ai që përfundoi. Pata një rast ideal, atë e kam punë, për mendimin tim e mendova gjuajtjen mjaft mirë, por dje portieri Koliçi ishte thjesht i pamposhtur”, deklaroi Shillova për faqen zyrtare të klubit, transmeton VAR Kosova.

Ish sulmuesi i Dritës dhe Flamurtarit ka folur edhe për ndeshjen e radhës, që do të jetë derbi me Ballkanin të mërkurën.

“Tani na pret ndeshja të mërkurën me Ballkanin. Mision i vështirë, por jo i paarritshëm. Ne shkojmë për pikët e plota për çka kam besim të plotë në grupin e lojtarëve që kemi pasi këtë gjë e kanë dëshmuar me lojë. Ne na duhet të na përcjell pak edhe fati më shumë, sidomos më shumë se sa në ndeshjen e djeshme”, përfundoi ai.

Shillova u inkuadrua në pjesën e dytë kundër Gjilanit, ndeshje të cilën Prishtina e humbi me rezultat 0:2.