Klubi i futbollit Llapi do t’i vazhdojë garat në Superligën e Kosovës në futboll.

 Një vendim i tillë ka ardhur pas një takimi që krerë të klubit nga Podujeva e kishin me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe nënkryetarin Agim Dibrani.

Llapi ditën e djeshme kishte paralajmëruar tërheqjen nga garat pas pretendimeve se është dëmtuar në ndeshjen me Dritën nga gjyqtari Visar Kastrati.

Llapi e humbi këtë takim me rezultat 1:2 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Njoftimi i plotë:

Pas takimit që patëm me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi si dhe nënkryetarin, Agim Dibrani është diskutuar ndeshja e djeshme ndërmjet Llapit dhe Dritës, në të cilën skuadra jonë u dëmtua në mënyrë të tmerrshme nga gjyqtarët e ndeshjes.

Në takimin e sotëm, kryetrajneri i KF Llapi, Tahir Batatina shfaqi brengën e tij në lidhje me referimin nga fillimi i këtij edicioni, duke menduar seriozisht tërheqjen nga garat e Superligës për këtë edicion. Por krerët e FFK-së theksuan që KF Llapi e meriton të jetë pjesë e Superligës dhe më nuk do ketë tendenca dhe dëmtime ndaj klubit.

Pas takimit me FFK-në, u organizua mbledhja online me kryesinë e klubit, të cilët edhe pse të tronditur nga referimi i djeshëm, menduan që duhet të jemi në gjendje gadishmërie të zhvillojmë kampionatin deri në fund, pa marrë parasysh ngjarjet e ndodhura së fundmi në dëm të KF Llapit.