Ish-sulmuesi i Italisë, Antonio Cassano duket se e ka mbyllur debatin e përjetshëm për yjet Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.
Cassano, që u largua nga futbolli në vitin 2017, ka lavdëruar shumë Messin duke thënë se “nuk do të shohim një tjetër si ai”.
Madje e ka krahasuar argjentinasin me Roger Federer, Michael Jordan dhe Diego Maradona, sa i përket talentin të jashtëzakonshëm individual.
Kurse për Ronaldo ka thënë se “është një talent i prodhuar”, shkruan AS.

“Gjithashtu e vëreni atë se cfarë bën në rrjetet sociale. Flitet shumë për të, më pak për Messin. Por në futboll ato janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. CR7 është shumë i fortë, por ai ka një talent të ndërtuar”, tha Cassano.
“Messi, nga ana tjetër, është Federer, Jordan, Maradona; diçka që nuk do ta shohim më kurrë në jetë, ai ka talent të jashtëzakonshëm si një dhuratë nga natyra”, shtoi Cassano.
“Shpesh dëgjoj të thonë që Messi ka luajtur me lojtarë fenomenalë në Barcelonë. Unë mbaj mend vetëm Xavi dhe Iniesta, atëherë në fillim ishte edhe Ronaldinho”, tha ai.

“Por Messi gjithashtu ndihmoi lojtarë si Pedro, Dani Alves, Mascherano dhe të tjerët të bëhen kampionë. Ai bëri që shumë lojtarë të rriten me talentin e tij”, tha Cassano.
“Qëllimi i Ronaldos është të shënojë gola, atij nuk i intereson ekipi ose asistimet. Messi, nga ana tjetër, bën gjithçka që e gjithë skuadra të rritet dhe ai është idhulli im”, tha italiani.
38-vjeçari Cassano ishte vetë një lojtar me talent të madh, i cili dështoi të shfrytëzonte maksimalisht aftësitë e tij, pavarësisht se fitoi La Liga me Real Madridin dhe Serie A me AC Milan./VAR Kosova/



























