Portieri i Ajaxit, Andre Onana, është pezulluar për një vit pasi ka dështuar në një testim për doping jashtë gare, ndërsa klubi ka deklaruar se ai e ka marrë gabimisht një ilaç të shkruar për gruan e tij.

Lajmin e ka konfirmuar klubi nga Eredivisie duke theksuar se kamerunasi ishte testuar në tetor 2020 dhe në urinën e tij është gjetur Furosemide – që është e ndaluar për futbollistët.

Efekti i pezullimit nis nga sot (5 shkurt) dhe vlen për të gjitha aktivitetet e futbollit.

“Mëngjesin e 30 tetorit, Onana nuk ndihej mirë. Ai deshi të merrte një tabletë që ta lehtësonte gjendjen. Duke mos e ditur, ka marrë Lasimac, një ilaç që i ishte përshkruar më herët gruas së tij”.“Pakthjelltësia e Onanas ka bërë që të marrë gabimisht ilaçin e gruas, duke shkaktuar masat e ndërmarra nga UEFA kundër portierit”, thuhet në njoftimin e Ajaxit që është zotuar se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).