Mesfushori sulmues, Eric Lamela ka shënuar ndoshta golin e tij më të bukur në karrierë në derbin e Londrës së Veriut kundër Arsenalit.

Lamela në minutën e 33-të shënoi gol në stilin “rabona” të njohur në zhargonin e futbollit, duke lënë të shtangur gjithë futbollistët e Arsenalit që ishin të vendosur para tij.

Golin e argjentinasit nuk mund ta besonte as shoku i tij i skuadrës, spanjolli Sergio Reguilon i cili vendosi dy duart mbi kokën e tij.

Ai nuk mund të besonte se çfarë goli ka shënuar Lamela për t’ia dhuruar epërsinë skuadrës së tij.

Reagimi i tij dhe goli i Lamelës janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u komentuar nga gjithë bota e sportit.

Lamela e nisi ndeshjen si rezervistë, por u inkuadrua në lojë pas lëndimit të Son. Ky ishte gol i parë i tij në këtë sezon.

Rezultati momental i ndeshjes është 1:1. Për Arsenalin shënoi fantazisti norvegjez, Martin Odegaard në fund të pjesës së parë.

Aktualisht është duke u zhvilluar pjesa e dytë kur kanë mbetur edhe 30 minuta për t’u zhvilluar në Emirate Stadium.