Maqedonia e Veriut e ka pësuar humbjen e dytë me radhë në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Djelmoshat e Igor Angelovskit janë mposhtur nga Ukraina në pasditën e sotme.

Ndeshja në fjalë u mbyll me rezultat të ngushtë, 2:1.

Andriy Yarmolenko (’29) dhe Roman Yaremchuk (’34) shënuan për ukrainasit, derisa për Maqedoninë e Veriut shënoi Ezgjan Alioski (’57).

Në këtë ndeshje, Alioski e humbi penalltinë në minutën e 57-të, derisa shënoi pas topit të kthyer, ndërkaq edhe Malinovsky i Ukrainës gaboi nga penalltia në minutën e 84-t.

Me këtë fitore, Ukraina ngritet në vendin e tretë me tre pikë, kurse Maqedonia e Veriut mbetet në vendin e fundit pa pikë.