Kombëtarja e Spanjës nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 ndaj Polonisë në ndeshjen e dytë të Grupit E në kuadër të Euro 2020.

Ekipi i Luis Enriques e ka dominuar ndeshjen ndaj polakëve të Paulo Sousas, por nuk ka arritur ende ta shijoj fitoren, pasi u ndal me barazim.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të spanjolleve, të cilët krijuan shumë raste dhe gjeten edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 25-të dhe ishte Alvaro Morata, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Gerard Morenos.

Në pjesën e dytë, përsëri ishte Spanja skuadër më e mirë, më kërkuese, duke krijuar më shumë, por Polonia gjeti golin e parë duke ia vështirësuar gjërat.

Ishte sulmuesi Robert Lewanwdowski (54’), i cili shënoi me kokë për 1-1 pas asistimit të Kamil Jozwiak.

Spanja pati një mundësi ideale në minutën e 58-të për t’u kthyer në lojë, por goditja e Morenos nga penalltia u prit nga shtylla, ndërsa Morata nuk qëlloi pas topit të kthyer.

Deri në fund të ndeshjes, iberikët nuk u ndalen së sulmuari, duke krijuar edhe disa raste tjera, por pa arritur ta gjejnë rrjetën dhe ndeshja u mbyll baras 1-1.

Pas këtij barazimi, Spanja e sheh veten në pozitën e tretë me dy pikë, ndërsa Polonia zë vendin e fundit me një pikë.

Në ndeshjen e fundit të grupit, Spanja luan ndaj Sllovakisë, ndërsa Polonia kundër Suedisë.