Marko Arnautovic, për të cilin ka shumë dyshime se është me origjinë shqiptare prej mbiemrit, e ka pësuar pas fjalëve dhe gjesteve të bëra në ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut.

Sulmuesi ofendoi Ezgjan Alioskin. Pas shënimit të golit, Arnautovic shpërtheu dhe u desh që ta mbanin shokët e skuadrës. Mediat serbe e nxorën zbuluar futbollistin e Austrisë.

Ato shkruanin se nga leximi i buzëve në momentin e irritimit, Arnautovic thoshte: “Të q…. nënën shqiptare”. UEFA nisi proces disiplinor dhe për sulm të kundërshtarit e ka pezulluar me një ndeshje.

Kështu Arnautovic nuk do të mund të aktivizohet në ndeshjen kundër Holandës, ditën e nesërme. Frika ishte se do dënohej më shumë, por sulmuesi ia ka hedhur paq.

Vendimi i Komisionit Disiplinor te UEFA

REAGIMI I ARNAUTOVIC – Pas gjithë situatës së krijuar, vetë sulmuesi më parë kishte kërkuar falje: “Unë nuk jam racist dhe nuk do të jem kurrë një i tillë. Ishte një betejë fjalësh gjatë një momenti emocional, nga njëra anë dhe nga tjetra. Shokët e mi, të cilët janë rritur në familjen time, janë nga e gjithë bota.

Isha i lumtur, natyrisht kishte fjalë që më lënduan gjithashtu. Ishte thjesht një shkëmbim fjalësh mes emocionesh. Për të gjithë njerëzit që janë ndjerë të prekur: Më vjen keq, më vjen keq, më vjen keq. Le t’i harrojmë të gjitha këto, nuk janë pjesë e futbollit”.