Gruaja e Leonardo Spinazzolas tregoi reagimin e mbrojtësit të Romës në momentin që Jorginho shënoi penalltinë fituese për Azzurrët.

Mbrojtësi po shikonte ndeshjen nga shtëpia pasi përfundoi një operacion të tendinit të Akilit të hënën.

28-vjeçari pësoi një dëmtim të rëndë në çerekfinalet e Euro 2020 kundër Belgjikës dhe do të mbetet jashtë fushe për gjashtë muaj.

Lojtarët italianë ia dedikuan fitoren atij, ndërsa ‘Spina’ festonte nga shtëpia.

Mbrojtësi bërtiti ‘Grazie, Grazie’ dhe ‘Vamos’ ndërsa festonte me fëmijët e tij dhe postoi videon e reagimit të tij në Instagram.

Spinazzola pritet të fluturojë për në Londër të dielën për të parë finalen nga tribunat në Wembley.