Pak ditë pas vdekjes tragjike të Williams Martinez, një tjetër futbollist kreu vetëvrasje duke e tronditur Uruguain. Kjo është vetëvrasja e tretë në këtë vend në gjashtë muajt e fundit.
Një tjetër vdekje tragjike e ka goditur Uruguain. Një javë pasi 38-vjeçari Williams Martinez, mbrojtësi i klubit nga kategoria e dytë Villa Teresa vdiq tragjikisht, Uruguai po e vajton vdekjen e mbrojtësit anësor Emiliano Cabrera.
Cabrera, ish-futbollist i Boston River, besohet se vrau veten mbrëmjen e të enjtes.
Arsyet e vetëvrasjes së Cabrera, i cili karrierën si futbollist e kaloi kryesisht në ligat e ulëta në Uruguai dhe Spanjë, janë ende të panjohura.
Por sipas gazetës uruguaiane Ovacion, besohet se ai kishte telashe familjare të cilat kanë mundur të kenë qenë shkaktari i vdekjes së tij tragjike.
Vetëvrasja e tretë në gjashtë muajt e fundit
Vetëvrasja e Cabreras vjen pas vdekjes tragjike të Williams Martinez, i cili u gjet pa shenja jete më 17 korrik në banesën e vet. Besohet se ai kishte telashe familjare dhe po ashtu në telashe në karrierën profesionale.
Para tyre, Santiago Garcia, 30-vjeçar, kishte bërë vetëvrasje në shtëpinë e vet në Argjentinë në shkurt të këtij viti.
Unioni i Futbollistëve Profesionistë të Uruguait ka ngritur alarmin për rastet e shpeshta të vetëvrasjeve në këtë vend, duke kërkuar që futbollistëve t’iu sigurohet përkrahje e duhur psikologjike.