Sulmuesi i Shqipërisë, Rei Manaj është ftuar nga trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman për ndeshjen e sotme miqësore kundër Nastic, klubit nga kategoria e tretë e futbollit spanjoll.

Takimi i sotëm do të jetë i pari për Barcelonën e Koemanit në përgatitjet parasezonale dhe do të zhvillohet në orën 19:00 në Barcelonë.

Koeman e ka publikuar listën për këtë takim, e cila megjithatë mban emra shumë të panjohur për publikun. Në të mungon Lionel Messi, natyrisht, i cili është lojtar i lirë tani për tani, pasi marrëveshja me Barçën i skadoi më 30 qershor.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Rei Manaj, për të cilin flitet se do t’i bashkohet një klubi të ri gjatë kësaj vere, është ftuar për këtë takim nga ekipi B i Barcelonës.