Arsenali ka vazhduar me humbje edhe në ndeshjen e tretë në kampionat, që e bën startin më të dobët në histori të ekipit, shkruan Insporti. 

Sot Arsenali pësoi debakël nga Man City dhe u “tradhtuan” edhe nga Granit Xhaka, i cili u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 35-të.

Një ndërhyrje e rëndë në gjysmëfushën e londinezëve, në mënyrë tërësisht të pakuptimtë, i kushtoi shtrenjtë mesfushorit me origjinë shqiptare, i cili përfundoi në qendër të kritikave dhe më i ashpri ndaj tij ishte personaliteti televiziv, Piers Morgan.

Në një postim në rrjetet sociale, 56-vjeçari tifoz i zjarrtë i londinezëve tha se “Xhakës nuk i punon më truri” dhe se ndërhyrja e tij ndaj Cancelos, që i kushtoi edhe kartonin e kuq, ishte thjesht një veprim prej budallai.

E ndërkohë që Arsenali pësoi tre gola në pjesën e parë, londinezët që kishin udhëtuar drejt “Etihad Stadium”, u larguan menjëherë nga tribunat, ndërsa në rrjetet sociale po shtohen gjithmonë e më shumë zërat që kërkojnë edhe largimin e trajnerit Mikel Arteta.