Kevin De Bruyne, N’golo Kante dhe Jorginho janë pretendentët për çmimin Lojtari i Sezonit, që jepet nga UEFA dhe fituesi pritet të zbulohet të premten, me rastin e ceremonisë së shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë nga zyrat e UEFA-s ka pasur një rrjedhje informacione, pasi konfirmohet se fituesi është mesfushori i Italisë, Jorginho, i cili është edhe lojtari që ka fituar më shumë ndër të tre pretendentët.

Futbollisti ka ngritur Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Europës me Chelsea-n dhe ndërmjet tyre edhe Kampionatin Europian me Italinë, teksa në të tre rastet ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e lojës.

Edhe dy mesfushorët e tjerë, Kante i Chelsea-t dhe De Bruyne i Manchester City-t, kanë bërë mjaft mirë në nivel klubi, por penalizohen nga performanca aspak e mirë e përfaqësueseve përkatëse në Kampionatin Europian.