Kompanit më të mëdha të basteve janë duke e favorizuar tejet shumë Spanjën kundër Kosovës, ndeshje kjo në kuadër të Grupit B kualifikues për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Kombëtarja e Kosovës e pret Spanjën sonte në orën 20:45 në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, “Betfair”, e sheh Spanjën si favorite absolute pasi i ka vënë kuotën 1.20 për të fituar, derisa fitores së mundshme të Kosovës i vë kuotë jashtëzakonisht të lartë, 16. Barazimi vlerësohet me kuotën 7.

Edhe shtëpitë e tjera të basteve e favorizojnë dukshëm kombëtaren spanjolle përballë dardanëve. Madje, sipas kuotës së Bet365 gjasat e Kosovës për të fituar janë 17.
Kosova është pothuajse e pashpresë dhe pa gjasa për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë në historinë e vet, pasi i ka vetëm katër pikë në vendin e tretë.
Por verdhekaltrit do të kërkojnë t’ia bëjnë Spanjës jetën sa më të vështirë, pasi ajo synon vendin e parë në Grupin B.
Spanja i ka 10 pikë në vendin e parë, një më shumë se Suedia në vendin e dytë, por i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë se kjo e fundit. Prandaj, vendi i parë në grup nuk është i sigurt për furinë e kuqe.
Vendi i parë shkon direkt në Katar 2022, ndërsa vendi i dytë luan në play-off.



























