Zbriti në fushë vetëm në minutën e 74-t të takimit mes Southamptonit e West Hamit, por kaq i mjaftoi Armando Brojës që të nxirrte në pah aftësitë e tij, duke bërë disa deportime të rrezikshme, goditi një shtyllë dhe i’u mohua goli nga një spastrim i Declan Rice në vijën fatale.

Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar i ka bërë të gjithë për vete te Southampton, ku është në huazim nga Chelsea, ndërsa trajneri austriak Ralph Hasenhuttl pranoi se pas një nisjeje mes dyshimesh, tashmë Broja e ka bindur plotësisht.

“E nisi pak ngadalë me ne dhe në një moment mu desh të bëj një bisedë shumë serioze, ndërsa më pas më ka befasuar se sa shpejt ka arritur të mësojë e të përshtatet me ato që i kërkojmë.

Të shtunën na tregoi cilësitë e tij më të mira, ato që ne kërkojmë prej tij dhe e kuptova pse të gjithë këmbëngulnin që të ma sillnin në ekip këtë verë”, deklaroi austriaku.