Ronald Koeman tregoi që goli i hershëm i Granadas dhe burimet e limituara që ai i ka te Barcelona, nënkuptuan që ata nuk mund të luajnë “tiki-taka”, dhe duhej që të luftonin për barazim mbrëmë.

Që nga humbja 3:0 në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munich, Barcelona mbrëmë regjistroi barazim me rezultat 1:1 kundër Granadas, ku heroi tek “Blaugranët” ishte mbrojtësi Ronald Araujo i cili shënoi golin e barazimit në minutën e 90’ të ndeshjes.

“Fillimi ynë jo i mirë na e bëri punën më të vështirë. Ishte një ndeshje me dy ose tre aksione në të cilat nuk u treguam të mirë, dhe më pas erdhi një harkim i mirë e pas tij edhe goli”, tha Koeman.

“Barcelona e sotme nuk është si Barcelona që ishte para tetë vitesh. Nuk është kjo ndeshja që ne e kemi dëshiruar, por nuk kemi lojtarë që mund të luajnë një kundër një. Coutinho dhe Yusuf Demir janë lojtarë të tipit që hynë më shumë drejt zonës”, shtoi Koeman.

Barcelona nuk është duke treguar paraqitje të mira këtë sezon, ku në katër ndeshje të La Ligas, ka regjistruar dy fitore dhe dy barazime, duke u pozicionuar në vendin e shtatë në tabelë me gjithsej tetë pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.