Më 24 tetor do të luhet “El Clasico” e parë e këtij sezoni, por paralelisht me përgatitjet për këtë duel gjigantësh të futbollit spanjoll, Reali i Madridit dhe Barcelona po luajnë një tjetër sfidë, duke menduar për sezonin e ardhshëm. Në “Bernabeu” dhe “Camp Nou” kanë dy objektiva të përbashkët sa i përket merkatos,. Bëhet fjalë për Antonio Rüdiger të Chelsea-t dhe Franck Kessié të Milanit, dy elementë të lakmuar, të cilëve u përfundon kontrata në qershor. Pra, kemi të bëjmë me një “El Clasico” për lojtarë me parametër zero.

Lojtarët e lirë, në fakt, janë kthyer në modë në këtë kohë pandemie. Verën e kaluar klubi mbretëror siguroi shërbimet e Alabas, ndërsa “blaugranat” emra të tillë si Memphis Depay, Eric García dhe Kun Agüero.

Megjithatë, për Kessien si Reali ashtu edhe Barça duhet të bëjnë llogaritë me PSG-në, që, kur bëhet fjalë për shpenzime marramendëse, është i pakonkurrueshëm. Leonardo prej muajsh po punon që futbollisti nga Bregu i Fildishtë të “zbarkojë” në “Parc des Princes” në stilin e Donnarummas.

“Los Blancos” e kanë kapacitetin për të ofruar një pagë shumë të lartë si Kessié-t ashtu edhe Rüdigerit. Mesfushori aktual i Milanit, që shihet alternativë për Casemiron, hodhi poshtë një ofertë rinovimi prej 6.5 milion euro në vit dhe po pret të hapë ankandin nga 1 janari.

Sa i përket Rüdigerit, Madridi synon të përsërisë formulën me të cilën siguroi Alaban. Nënshkrimi me kosto zero dhe një kontratë prej të paktën tre vjetësh me një pagë 12 milionë euro neto në sezon.

Mediat angleze këmbëngulin se Rudiger është “i zhgënjyer” me Chelsea-n dhe menaxherët e tij nuk kanë bërë përparim të rëndësishëm në bisedimet me Marina Granovskaia, drejtoren e përgjithshme të bluve të Londrës, që konsiderohet gjithashtu krahu i djathtë i Abramovichit.

Rüdiger dhe Kessié garantojnë “muskuj” me kosto zero, gjë që tërheq shumë Real e Madridit, Barçën dhe shumë klube të tjera të mëdha në Europë.