Kombëtarja e Shqipërisë e ka pësuar një humbje të hidhur mbrëmë në Tiranë.

Në kuadër të eliminatoreve për Kupën e Botës “Katar 2022”, Shqipëria ishte mbrëmë nikoqire e Polonisë.

Ndeshja e vlefshme për grupin I i takoi Polonisë me rezultat 0:1.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Polonisë do të kujtohet për fat të keq edhe për sjelljet e tifozëve shqiptarë të cilët hodhën sende në fushë ndaj polakëve. Por disa prej tyre ishin edhe reagime ndaj provokimeve të futbollistëve polakë.

Një prej tyre ishte edhe portieri i Juventusit, Szczesny, i cili në mbyllje të ndeshjes kërkoi me çdo kusht reagimin e tifozëve.

Pas vërshëllimës përfundimtare, portieri polak u kthye të festonte nga tifozët shqiptarë pas portës, duke sjellë reagimin e tyre, pasi gjuajtën menjëherë me shishe dhe çakmakë.

Portieri nuk u ndal aty, por shkoi e mori një nga shishet e hedhura dhe filloi ta pinte, duke tërbuar edhe më shumë tifozët që nuk reshën breshërinë ndaj tij, teksa po largohej të dilte jashtë fushës së lojës.