Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet sot (e mërkurë) me Jordaninë në një ndeshje miqësore të muajit nëntor, ndërsa përzgjedhësi Primoz Gliha tashmë ka idetë mbi formacionin titullarë.

Dardanët janë nikoqir të kombëtares aziatike në miqësoren e luksit të paraparë para ndeshjes mbyllëse kualifikuese për Kupën e Botës “Katar 2022”.

Ky takim pritet të zhvillohet sot me fillim nga 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kosova do të udhëhiqet nga slloveni Primoz Gliha, i cili është zgjedhur ta zëvendësojë për këto dy ndeshje të shkarkuarin Bernard Challandes.

Megjithatë, Gliha pritet që në këtë ndeshje dhe të ardhshme kualifikuese ndaj Greqisë, të vazhdojë idenë e Challandes në lidhje me skemat dhe lojën.

Gliha nuk do të bëjë ndryshime në renditje dhe as ndryshime të mëdha në formacionin titullarë, shkruan Telegrafi.

Telegrafi mëson se përzgjedhësi slloven do të vazhdojë të luajë me formacionin 4-2-3-1, ashtu sikurse luante Challandes.

Në portë pritet të startojë Aro Muric, ndërsa në mbrojtje do të luajnë Mergim Vojvoda, Amir Rrahmani, Betim Fazliji dhe Fidan Aliti.

Mesfusha do të përbehet nga Florian Loshaj dhe Besar Halimi, ndërsa treshja para tyre pritet të formohet nga Edon Zhegrova i rikthyer së bashku me Valon Berishën dhe Milot Rashicës.

Sulmuesi i vetëm edhe në këtë ndeshje do të jetë Vedat Muriqi.