Pas një pauze thuajse dy javore shkaku i futbollit ndërkombëtar, tani është radha përsëri e futbollit vendor apo më sakte kampionateve shtetërore.

Sot (e premte) është në orar zhvillimi i vetëm një ndeshje në kuadër të javës së 14-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

Prishtina është nikoqire e Dukagjinit në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të, takim që pritet të zhvillohet në “Fadil Vokrri” nga ora 13:00.

Kryeqytetasit vijnë në këtë ndeshje me një ndryshim të madh, pasi Abdulah Ibrakovic ka zëvendësuar Zekirija Ramadanit në stolin e ekipit.

Prishtina ndaj Dukagjinit paraqitet pas barazimit 1:1 që e arriti në udhëtim te Gjilani në xhiron e kaluar. Renditet në pozitën e gjashtë me 17 pikë, shtatë më pak se Ballkani që është lider. Në ndeshjen e parë të këtij edicioni, që u luajt në Klinë, skuadra e Prishtinës e ka mposhtur 2:1 Dukagjinin.

Dukagjini këtë edicion është rikthyer në Superligë. Ka tubuar 14 pikë deri më tani dhe zë vendin e tetë në klasifikim. Për dallim prej Prishtinës që mori vetëm një pikë, skuadra e Dukagjinit në xhiron e kaluar triumfoi 1:0 në shtëpi ndaj Feronikelit.

Tashmë janë publikuar edhe formacionet zyrtare:

Prishtina: Halimi, B. Krasniqi, Bekteshi, Mici, Abazi, Karabeci, Boshnjaku, Hoti, E. Krasniqi, Tolaj, Kryeziu. Trajner: Abdulah Ibrakoviq.

Dukagjini: Haxhihamza, Jashanica, Dallku, Kuçi, Basri, Syla, Shabani, Ahmeti, Mërlaku, Da Silva, Januzi. Trajner: Armend Dallku.