Bardhec Bytyqi është përforcimi më i ri i skuadrës elitare nga Danimarka, Esbjerg. Bytyqi është transferuar te Esbjergu nga Jammerbugt, ekip që bën gara në një kategori më poshtë të Danimarkës për 200 mijë euro. 25-vjeçari që luan në rolin e mesfushorit defensiv, me ekipin e ri ka firmosur kontratë deri në fund të vitit 2024. Bytyqi te Esbjergu po shihet si përforcim i rëndësishëm, gjë që e ka pranuar edhe drejtori sportiv i këtij ekipi.

“Me Bardhec Bytyqin, ne kemi marrenjë futbollist të talentuar dhe me personalitet të mirë, kështu që e presim me padurim. Nga një lojtar me fokus në mbrojtje, ai ndër vite është zhvilluar të jetë kërcënim edhe në sulm me veprime vendimtare. Në të njëjtën kohë, ai vjen me përvojë që besojmë se do të na sjellë dobi”, ka thënë Jens Hammer Sorensen.

Ndërkohë, Bytyqi që është lindur dhe rritur në Danimarkë, ka shtuar se është i gatshëm për elitën e futbollit danez. “Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam pjesë e Esbjergut pasi ambicia ime ka qenë që ta bëjë një hap të tillë në karrierë. Synimi im është që të stabilizohem në ekip dhe ta ndihmojë për të arritur synimet”, ka thënë Bytyqi.

Te Jammerbugti, Bytyqi së fundi ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim në 17 ndeshje. Ai gjithashtu ka qenë edhe pjesë e skuadrave tjera të Danimarkës, si Aalborg e Skive. Si futbollist, Bytyqi është rritur te Aalborgu.