Pas sanksioneve që po bëhen ndaj kombëtares ruse, me shtetet e ndryshme që refuzojnë të luajnë kundër tyre, tanimë edhe klubet ruse po e pësojnë rëndë nga sulmi që Rusia po bën ndaj Ukrainës.

Pas FIFA-s e cila mori vendim një ditë më parë që kombëtarja Ruse t’i zhvillojë ndeshjet e saj pa tifozë, pa himn, pa flamur dhe në stadiume neutrale, ditë e sotme vjen vendimi i UEFA-s për klubet ruse.

Siç raporton “Sport Bild” UEFA tanimë ka marrë vendim për ta përjashtuar Spartakun e Moskës nga Europa League. Spartaku në 1/8 e finales në këtë garë të madhe evropiane do të përballet me klubin gjerman RB Leipzig, i cili në rast të përjashtimit të skuadrës ruse mund të përfitojë duke kaluar direkt në fazën tjetër të këtij kompeticioni.

Por gjithnjë sipas Bild, UEFA tanimë e ka marrë vendimin për përjashtimin e skuadrës ruse, vendim që do të bëhet zyrtar gjatë ditëve të ardhshme.