Kukësi ka humbur në FIFA një gjyq me belgët e Oostende dhe shkak është bërë pagesa e kontributit të solidaritetit për klubet që e kishin pasur Sindrit Gurin para verilindorëve.

Verilindorët përfituan 710 mijë euro për transferimin e sulmuesit shkodran dhe 5% të kësaj shume duhet t’ia shpërndanin klubeve shqiptare.

Besa e Korabi e kishin kërkuar tarifën, që Kukësi kishte refuzuar ta bënte me pretendimin se shifrën duhet ta paguante Oostende dhe ata vetëm duhet ta shpërndanin.

Belgët, sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, shpërndanë 10.390 euro për KF Shkodrën, 7.691 euro për Vllazninë, 3.550 euro për Besën, 2.662 euro për Korabin dhe 1.183 për Kastriotin.

Më pas Oostende ka paditur Kukësin në Komitetin e Statutit të Lojtarëve në FIFA vitin e shkuar dhe në fund u vendos që Kukësi duhet të rimbursojë shumën e 25.450 eurove, që belgët kishin paguar.