Futbollistët e Maqedonisë së Veriut të dielën kanë udhëtuar për në Porto, ku të martën mbrëma e luajnë ndeshjen më të madhe në histori. Maqedonia e Veriut, me shumë futbollistë shqiptarë në përbërje, luan ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos për vend në Botërorin që më vonë këtë vit mbahet në Katar.

Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror e eliminoi Italinë, duke e mposhtur 1:0 me gol në minutën e 92-të.

Te Maqedonia tani synojnë befasinë e radhës dhe kualifikimin historik në Botëror. Maqedonia V. do ta zhvillojë vetëm një stërvitje në Porto, të hënën mbrëma.

Para udhëtimit për në Porto, në aeroplanin ku ishin lojtarët ka qëndruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Ai ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

Kryeministri Kovaçevski ka premtuar para lojtarëve preminë prej 500 mijë eurosh për fitore ndaj Portugalisë, përkatësisht për vend në Botëror.

“Ju jeni pika më e ndritur e Maqedonisë për momentin. Qeveria me kënaqësi mund të ndajë një shpërblim prej 500 mijë eurosh për kualifikim në Botërorin e Katarit. Edhe kjo që kemi arritur deri më tani është një sukses. Nuk e di se si, por fitoni edhe ndaj portugezëve. E di që mund t’ia dilni”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë V. para lojtarëve të kësaj përfaqësueseje.

Shumë pritet prej futbollistëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut si Enis Bardhi, Arijan Ademi, Ezgjan Alioski dhe Visar Musliu. Musliu ka luajtur ndeshje të madhe me Italinë.

“Nuk kemi arritur ende asgjë. Ne kemi eliminuar një gjigant si Italia, por jemi edhe një hap prapa Botërorit. Ëndërrojmë fitore të martën. Do të bëjmë më të mirën për të realizuar ëndrrën. Ne besojmë se mund të fitojmë në Portugali”, ka thënë Ezgjan Alioski para nisjes për në Portugali.