Pas shumë ditësh luftë, Ukraina tani po numëron viktimat nga invazioni rus. Të vendosur për të mbrojtur vendin, janë edhe shumë persona publikë dhe sportistë që i janë bashkuar luftës kundër Rusisë agresore.

Siç bëhet e ditur nga FIFPro, Unioni Botëror i Futbollistëve, në Ukrainë janë vrarë edhe dy futbollistë ukrainas dhe bëhet fjalë për Vitalii Sapylo 21 vjeç dhe Dmytro Martynenko 25 vjeç. Sapylo, një futbollist i Karpatit, ishte me origjinë nga fshati Sokilnyky afër Lviv dhe u vra në një betejë afër Kievit.

Ndërsa sulmuesi i FC Hostomel, Dima Martynenko u nderua sezonin e kaluar si lojtari më i mirë në divizionin e dytë, ku ishte golashënuesi më i mirë. Ai mbeti i vrarë nga një bombë që i ra në shtëpinë e tij e ku dhe e ëma gjithashtu vdiq, ndërsa motra e tij 7-vjeçare u plagos rëndë dhe babai i tij i mbijetoi sulmit.

Mësohet gjithashtu se edhe Yevhen Malyshev, vetëm 20 vjeç ka mbetur i vrarë teksa po kryente shërbimin ushtarak.

Ai ishte pjesë e kombëtares ukrainase të Biathlon ku ka marrë pjesë në disa aktivitete për të rinj ndërsa ish shokët e kombëtares shkruajtën “Heronjtë nuk vdesin kurrë” në nderim të tij.