Reali i Carlo Ancelottit tashmë është “mbret” i Europës, pasi mbrëm fitoi edhe trofeun e 14-të të Champions League si asnjë skuadër tjetër më parë.“Los Blancos” mposhtën në finale Liverpool me shifrat 1-0 ku Vinicius Jr ishte ai që i dhuroi fitoren madrilenëve.

Pas kësaj fitoreje historike ka folur edhe trajneri Ancelotti për “Sky Sport Italia” i cili ishte shumë i lumtur për atë që skuadra e tij dha në fushë, teksa nuk nguroi të theksonte se e meritonin të konfirmoheshin më të mirën e Europës.

“Kampionë prej goditjes së Vinicius dhe pritjeve të Courtois? Jam i lumtur, nuk mendoj për këtë, thjesht fokusohem te fakti që arritëm në fund të një sezoni të vështirë falë zemrës së kësaj skuadre, përqendrimit dhe përvojës. Mendoj se kjo është arsyeja pse fituam. Vinicius shënoi një gol, Courtois bëri pritje, fundi i historisë”.

“Mendoj se Liverpool ishte i fortë, por nëse mban një mbrojtje lart dhe u lë hapësira të sulmojnë pas shpine, atëherë do të vuash. Kështu që mbrojtësit tanë bënë një punë të mirë për t’i mbyllur ato hapësira.Reali jo favorit në çdo raund? Duke kthyer kokën prapa, njerëzit thoshin se PSG ishte i pafat, Chelsea i pafat, Manchester City po ashtu. Kjo ishte ndeshja e vetme kur njerëzit menduan se ne ishim pak a shumë në të njëjtin nivel. Liverpool është më i lehti për t’u dëshifruar, në krahasim me të tjerët”.