Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, ende nuk e ka bindur trajnerin e Norwich Cityt, Dean Smith, se meriton një vend titullari. Smith të hënën në konferencën për shtyp para ndeshjes kampionale ndaj Birminghamit, ka deklaruar se pret angazhim më të madh nga Rashica në stërvitje.

Rashica në dy ndeshjet e fundit kampionale nuk është aktivizuar fare. Në fakt, në përballjen kundër Sunderlandit, të cilën Norwichi e fitoi 1:0, Rashica nuk ishte përfshirë fare në ekip.

Sulmuesi i krahut, Rashica, këtë edicion në vetëm katër ndeshje ishte titullar te Norwichi, përfshirë këtu edhe atë në EFL Cup kundër Bournemouthit. Kjo ishte ndeshja e vetme që Rashica e luajti prej fillimit deri në fund, ndërsa në tri ndeshjet kampionale ku ishte titullar është zëvendësuar. Në tri ndeshje tjera nuk është përfshirë fare, kurse ndaj Huddersfieldit është aktivizuar në shtatë minutat e fundit.

“E kemi pasur vetëm një stërvitje prej ndeshjes me Sunderlandin, në të cilën nuk ishte i përfshirë fare. Ai ka stërvitur mirë. Jam ulur dhe i kam shpjeguar arsyet e mia, sikurse që i kam pasur me Adam Idiah dhe Jordan Hugill. Kjo është mënyra që unë besoj se duhet të bëhet dhe pastaj varet prej futbollistëve që të ma ndërrojnë mendjen”, është shprehur Smith. “Besimi i tij është pak i ulët për momentin, sikurse i çdo lojtari që mund të jetë. Ai ka vetëm një asistim këtë edicion në ndeshjen kundër Wiganit, por është transferuar për një shumë të madhe parash si transferim i madh në Premier League dhe dëshiron të luajë në nivelin më të lartë”.