“New York Times” ka publikuar këtë të martë një intervistë me një prej futbollistëve më të shquar të skenës botërore: Kylian Mbappé. Është folur shumë këtë verë për rinovimin e yllit francez me PSG-në dhe ‘tradhtinë’ ndaj Real Madridit, një klub që e kishte ndjekur prej pesë vitesh.

Epo, gazeta e mirënjohur ka zbuluar edhe shifrat e kontratës miliona dollarëshe që PSG-ja, e mbështetur nga Katari, i ofroi lojtarit nga Bondy për ta bindur që të mos largohej nga kryeqyteti francez.

Sipas këtij informacioni, Mbappé do të marrë mbi 250 milionë dollarë (251.46 milionë euro) për tri sezonet e nënshkruara, afërsisht 83 milionë për sezon.

Disa nga lajmet pas vendimit të tij për të qëndruar me PSG-në thanë se paratë e Katarit ishin shumë për t’iu rezistuar, me “New York Times” që pretendonte se Mbappé mori rreth 125 milionë për rinovimin, pagesa më e madhe e bërë ndonjëherë për një lojtar pa kontratë në historinë e futbollit.

Megjithatë, ai ka insistuar në këtë intervistë se shumat e mëdha të parave të ofruara nuk ishin ato që e shtynë të merrte atë vendim përfundimtar. “Sepse kudo që të shkoj do të më japin para”, – tha ai.

Mbappé, i cili gjithashtu ka pranuar se ishte shumë i befasuar nga biseda që pati me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili u përpoq ta bindte me të gjitha mënyrat për të qëndruar te PSG, shtoi gjithashtu se të gjitha vendimet e mëdha, shpesh edhe ato të voglat, i merr pas bisedave të thella me dy këshilltarët e vetëm, mendimet e të cilëve kanë vërtet rëndësi për të dhe prindërit e tij.