Brohoritjet e futbollit shpesh shkojnë përtej kufijve të sensit të përbashkët. Ndonjëherë pasioni i papërmbajtshëm mund të çojë në gjeste impulsive, për të cilat njeriu pendohet vetëm kur është tepër vonë.

Callum është një tifoz i Stockport County, një skuadër që sapo është ngjitur në Ligën e Dytë, që është seria e katërt angleze. Dhe tifozit në fjalë i erdhi ideja e mrekullueshme që të bënte tatuazh emrin e lojtarit të tij të preferuar. Sa keq që disa ditë më vonë i njëjti lojtar nënshkroi për një klub tjetër.

“Nuk jam penduar”, – thotë tani 23-vjeçari, i cili ishte me pushime në Zakynthos (Greqi) me miqtë, kur vendosi të nderonte atë që për të dhe shumë tifozë të tjerë të Stockport ishte një legjendë e klubit, Sammy Minihan.

Image

Ky i fundit kontribuoi në dy promovime (ngjitje një kategori më lart) të Stockport në gjashtë vitet që luajti atje. Ai u transferua tek ekipi tjetër, Halifax Town, i cili luan në Ligën Kombëtare, një kategori më e ulët në piramidën e futbollit anglez.

Në atë moment, tifozi Callum e kuptoi se kishte shpërdoruar kot 70 euro, aq sa kishte shpenzuar për tatuazhin, për të gdhendur në këmbë emrin e atij që tani është një flamur i dikurshëm. Mirëpo, i riu u përpoq ta merrte mirë, duke e postuar historinë në rrjetet e tij sociale me një dozë të mirë autoironie.

“Po vdisja të bëja tatuazhin tim të parë ndonjëherë, – tha ai për ‘Manchester Evening News’. – Doja të kisha diçka që e mbaja mend dhe që ishte argëtuese. Mendova se çfarë të bëja gjatë gjithë ditës, pastaj më lindi ideja. Sam Minihan është një legjendë. Ai luajti te Stockport County për gjashtë vite, është lojtari im i preferuar”.

Për më tepër, historia, për shkak të përhapjes që kishte, e lejoi Callum të vihej në kontakt me idhullin e tij: “Kam pasur një bisedë me të në Facebook. Kam postuar një foto të tatuazhit tim dhe e kam etiketuar, ai është përgjigjur. Mamaja ime u trondit pak dhe tha ‘çfarë bëre’. Unë kam qenë gjithmonë një fans i “Hatters” dhe Super Sammy do të jetë gjithmonë një legjendë.

Ka pasur thashetheme për transferimin disa javë më parë, por më pas nuk dihej asgjë më shumë, – shtoi Callum. – Ne nuk besojmë gjithmonë në thashethemet, ishte pak tronditëse ta shihja atë të largohej. Sidoqoftë, tatuazhi me siguri do të mbetet. Sam Minihan ishte këtu që kur klubi filloi rindërtimin, ai e do Stockport County”.