Lajm i keq për Jerome Boateng. Futbollisti i Olympique Lyon është dënuar për dhunë me bazë gjinore ndaj Sherin Senler, ish-partneres së tij me të cilën ka dy vajza binjake të përbashkëta, për shkak të një sërë sulmesh fizike dhe psikologjike gjatë pushimeve në Karaibe më 2018, pas eliminimit të Gjermanisë në fazën e grupeve të Kupës së Botës në Rusi.

“Viktima” i denoncoi këto fakte në polici, ku u paraqit me një sërë mavijosjesh dhe plagësh në trup. Gjykata e Mynihut ka dhënë tashmë një dënim që tregon fajësinë e futbollistit të njohur, ka ratifikuar rezolutën e saj dhe, për rrjedhojë, mbrojtësi i kombëtares gjermane do të duhet të paguajë gjithsej 1.2 milionë euro dëmshpërblim për krimin e rëndë që ka kryer.

Sanksioni ekonomik do të ndahet në gjithsej 120 këste, ai do të duhet të paguajë 10 mijë euro në muaj për vitet e ardhshme deri në përmbushjen e shumës së vendosur nga sistemi i drejtësisë gjermane.

Boateng ka pasur fatin t’i shmanget dënimit me burg, pasi në shkallë të parë është dënuar me gjashtë muaj pas hekurave dhe gjobë prej më shumë se 1.8 milionë euro. Mirëpo, prokurori para se të jepte dënimin, i ka kërkuar magjistratit të çështjes që futbollisti të dënohet me një vit e gjysmë burg, por kërkesa e tij është rrëzuar.

Pozicioni i ish-lojtarit bavarez ka qenë gjithmonë i njëjtë. Ai i ka mohuar këto fakte në të gjitha proceset gjyqësore ku ka marrë pjesë dhe ka siguruar se ka qenë edhe ai “viktimë” e disa sulmeve nga ish-partnerja.

Megjithatë, futbollisti nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar këto pretendime. Pas konfirmimit të dënimit, i akuzuari është larguar nga gjykatat i shoqëruar nga mbrojtja e tij, por nuk ka folur me mediat që ndodheshin në afërsi të këtij vendi.