Disa prej krerëve të klubeve të Superligës së Kosovës në futboll pritet të takohen për të diskutuar rreth çështjes së licencimit nga MKRS-ja, por i mendimit me krerët tjerë nuk është edhe Tahir Batatina.

Trajneri i Llapit ka thënë se duhet të diskutohet, mirëpo vetëm nëse ata ftohet nga FFK-ja, pasi sipas tij “ka kalu ajo koha kur jemi mbledhur në kafe për me diskutu”.

“Për momentin gjendem në Shqipëri, por neve duhet me na ftu federata, sepse ka kalu ajo koha kur jemi mbledhur në kafe për me diskutu. Kjo është temë e rëndësishme, dhe nëse ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim – klubet duhet t’i thërras FFK-ja, sepse ai është institucioni, jo ne”, ka thënë Batatina për Dukagjinin, transmeton Paparaci.

Takimi mes klubeve pritet të mbahet shumë shpejtë. Klubet janë në rrezik pasi sipas vendimit të ri të Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, klubet nga federatat që nuk janë licencuar nuk mund të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.

Shumica e klubeve, prejardhjen krysore të mjeteve buxhetore e kanë nga Ligji i Sponsorizimit. FFK-ja nuk është licencuar akoma, teksa sot Komisionin Vlerësues ka paraqitur një raport prej 20 pikave të cilat nuk i ka plotësuar FFK-ja.