Real Madridi edhe zyrtarisht ka kompletuar transferimin e sulmuesit brazilian Endrick, i cili do t’i bashkohet klubit mbretëror në verën e vitit 2024.

Lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare të gjigantit spanjoll të enjten ku thuhet se marrëveshja me Palmeiras është finalizuar.

“Real Madridi, Palmeirasi, Endricku dhe familja e tij kanë arritur një marrëveshje sipas së cilës lojtari do të jetë në gjendje t’i bashkohet Real Madridit kur të mbush moshën 18-vjeçare në korrik të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e klubit spanjoll.

Deri atëherë, Endrick do të vazhdojë të jetë pjesë e Palmeirasit. Lojtari në ditët në vijim do të udhëtojë drejt Madridit për të vizituar ambientet e klubit spanjoll.

Për shërbimet e Endrick raportohet se Reali ka paguar 60 milionë euro.