Pas Cristiano Ronaldos, ekipi nga Arabia Saudite, Al-Nassr, po synon t’i bëjë edhe dy transferime të mëdha gjatë kësaj vere, ka shkruar sajti “Sport” të mërkurën. Bëhet e ditur se ekipi saudit po synon t’i sigurojë shërbimet e mesfushorëve të Real Madridit, Luka Modric e Eden Hazard. Madje, thuhet se krerët e Al-Nassr tashmë kanë kontaktuar me dy futbollistët për t’i bindur që ta vazhdojnë karrierën në Lindjen e Mesme.

Modric 37-vjeçar në verë do të jetë lojtar i lirë pasi sipas burimeve në Spanjë, të afërta me klubin spanjoll, nuk do ti ofrohet rinovimi i kontratës.

Modricit thuhet se Al-Nassr i ka ofruar kontratë dyvjeçare me pagë vjetore mbi 20 milionë euro, ndërsa Hazardit 15 milionë euro në vit për të firmosur për tre vjet. Hazard ka kontratë me Realin deri në vitin e ardhshëm.