Milot Rashica është duke e shijuar një sezon të shkëlqyeshëm në fanellën e Galatasarayt.

Ylli kosovar është i huazuar në klubin turk nga Norwichi deri në fund të sezonit.

Drejtuesit e klubit anglez janë të gatshëm ta shesin kartonin e përfaqësuesit kosovar për një shumë të arsyeshme, përkatësisht të kënaqshme, shkruan “Gazeta Express”.

Siç dihet, klubi më i interesuar për shërbimet e vushtrriasit është Galatasaray,  i cili synon ta blejë kartonin e tij.

Megjithatë, ditë më parë në garë u fut edhe Burnley, i cili po mundohet ta rikthejë në Angli ish-futbollistin e Werder Bremenit.

E tash, sipas mediumit turk “Fotospor”, edhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Fenerbahçe, ia ka vënë syrin futbollistit ofanziv.

Feneri kështu do ta rivalizojë edhe në këtë rast rivalin e përbetuar të qytetit.

Por, mbetet të shihet se cili klub do t’i ofrojë më shumë para Norwichit dhe kushte më të mira Rashicës.

Lojtari anësor ka thënë se ndihet mjaft i lumtur në Galatasaray, por futbollit nuk i dihet kurrë, shkruan “Gazeta Express”.

Galata i ka bërë gati 7 milionë euro për kartonin e lojtarit, por duket se Norwichi i kërkon së paku 10 milionë.

Miloti i ka zhvilluar 29 ndeshje këtë sezon deri tash në ekipin nga Stambolli duke i realizuar 6 gola.