Kombëtarja e Kosovës në basketboll, sonte në “Arena Naestved” do të përballet me Danimarkën, ndeshje kjo që luhet në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.

“Dardanët” në këtë sfidë që është tejet e rëndësishme për Kombëtaren tonë, vijnë pas fitores se madhe në ndeshjen e parë të këtij cikli garues kundër Zvicrës (76:49).

Kosova mbrëmë në ‘tapetin’ e  “Arena Naestved”, ka zhvilluar seancën e radhës para ballafaqimit me Danimarkën.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), ka bërë më dije se “stërvitja ka shkuar sipas planit dhe të gjithë lojtarët po japin maksimumin, ndërsa atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë”.

Për dallim nga ndeshja kundër Zvicrës, Erjon Kastrati është rikthyer nga lëndimi dhe po stërvitet rregullisht për të qenë i gatshëm.

Ndeshja Danimarkë-Kosovë fillon në orën 18:00.