Kombëtarja e Kosovës në basketboll, sonte përballet me Zvicrën, në kuadër të Rrethit të Tretë Para-kualifikues për Eurobasket 2025, sfidë kjo që fillon në orën 20:45.

Kosova dhe Zvicra, do të ballafaqohen në “Sezai Surroi” në Prizren, në një sfidë të tejet të rëndësishme, veçmas për Kombëtaren tonë.

Dardanët përballe skuadrës helevete luajnë njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit në basketboll.

Atmosfera në taborin e skuadrës sonë, është mjaft e mirë dhe premtuese për fitore, anipse përball është një skuadër e fortë siç është Zvicra.

Kosova nën drejtimin e trajnerit Rami Hadar ka disa ditë që është duke u përgatitur për duelin me zviceranët.

Përzgjedhësi i Kosovës, Rami Hadar, është shprehur optimist para sfidës ndaj Zvicrës.

“Mund të them se jam i kënaqur me angazhimin e basketbollistëve në stërvitje dhe kushteve të ofruar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Kemi analizuar sa kemi mundur Zvicrën, ku njohim lojtarët dhe trajnerin. Do të japim më të mirën për rezultat pozitiv”, ka thënë Hadar.

Kosova për herë të parë luan në Prizren dhe palestra e sporteve “Sezai Surroi” pritet të jetë e mbushur me tifozët ‘Dardanë” të cilët do të përkrahin fuqishëm Kombëtaren tonë në rrugëtimin e ri për Eurobasket 2025.

Kosova pas ndeshjes me Zvicrën, do të jetë mysafirë të Danimarkës, më 26 korrik dhe 29 korrik ndaj Zvicrës. Ndeshja e fundit do të jetë më 5 gusht ndaj Danimarkës. Vetëm vendi i parë kualifikohet tutje.