Federata e Boksit e Francës ka shkruar të dielën se Nadjib Mohammedi është privuar nga një fitore e madhe në Prishtinë. Boksieri me përvojë nga Franca të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri” boksoi kundër Robin Krasniqit. Mohammedi u diskualifikua në raundin e nëntë për goditje të palejuara dhe fitorja i takoi Krasniqit. Ka pasur reagime të shumta lidhur me mënyrën se si përfundoi meçi kryesor i mbrëmjes në Prishtinë.
Mohammedi ishte më aktiv dhe ishte në shumicën e kohës në sulm. Ka reaguar shumë herë në vendime të gjyqtarit në ring dhe ka pasur vlerësime nga kampi i Krasniqit se shumë prej goditjeve të tij ishin të palejuara. Gjyqtari Ajet Rreci i ka dhënë katër herë vërejtje publike, ndërsa pas vërejtjes së pestë ka ndërprerë meçin, duke e shpallur Krasniqin fitues.
Në Federatën e Boksit të Francës, që mbulon si boksin amator ashtu edhe boksin profesional, kanë vlerësuar se Mohammedi është privuar nga fitorja e madhe.
“Mohammedi humbi me diskualifikim në rundin e nëntë të një lufte të cilën e dominoi në mase të madhe përballë Robin Krasniqit”, shkruan në raportin e federatës franceze.
Federata e Boksit të Francës ka shkruar se për shkak të parave, meçi nuk ishte për titullin e paralajmëruar. Në fakt Krasniqit nuk iu dha asnjë brez pas fitores, ndërsa organizatorët nuk e kanë përmendur faktin që meçi megjithatë nuk ishte për titullin WBC Silver në kategorinë gjysmë të rëndë. Për shumë kohë meçi është reklamuar si për titullin WBC Silver. WBC është prej versioneve të mëdha në boksin profesionist.
“Ky duel midis dy boksierëve të kategorisë gjysmë të rëndë është dashur të jetë për brezin WBC Silver dhe pritej ta dërgonte fituesin në krye të renditjes në WBC. Por për arsye të errëta financiare, në fund ishte një luftë jo e vlefshme për titull”, ka shkruar Federata franceze në faqen zyrtare.





























